Shpërndaje në:

Tentimi për një marrëveshje të re mes liderëve të subjekteve më të mëdha politike në vend nuk është garancë se do ta forcojë faktorin politik shqiptar. Edhë kësaj here forca vepruese e shqiptarëve nuk matet me aktivitetin e tyre për rrëzimin e Qeverisë Gruevski por me mëshirën e të huajve sa ata mund t’u japin shqiptarëve në bisedime ku fjalën kryesore e ka faktori ndërkombëtare. Qeverinë Gruevski-Ahmeti e kanë ndjekur skandale të njëpasnjëshme në sfera të ndryshme.

Analistët për “Lajm” janë të ndarë sa i përket asaj se sa mund shqiptarët të fitojnë nga tentimi i fundit për  “zgjidhjen e krizës” dhe se sa mund t’i kënaq shqiptarët marrëveshja e re.

Sipas analistit Naser Pajaziti marrëveshja e re sërish i nxori shqiptarët vetëm si dekor dhe element dytësor, sepse u pa qartë se kush janë protagonistët kryesor të saj.

“Mendoj se asgjë shqiptare nuk ka në marrëveshjen e re dhe se gjitha ‘kërkesat’ në formë dëshirash të partive shqiptare prolongohen si floskula që nuk dihet se me këtë qasje morbide a do të zgjidhen ndonjëherë. Kërkesat e shqiptarëve sikur proceset e montuara politike do të jenë në moratorium bashkë me bombat e Zaevit. Pra gjithçka do të varet nga vullneti i partive kryesore maqedonase se a do të hapin të ashtuquajturën Kutinë e Pandorës me proceset e montuara siç është ‘Monstra’”, ka thënë për “Lajm” Pajaziti.

Edhe në aspektin e integrimeve evroatlantike, thotë Pajaziti, partitë shqiptare nuk janë ndonjë faktor ndikues nga pozita e tanishme që kanë, sepse procesi i integrimit varet më shumë nga agjenda e zgjerimit të BE-së dhe interesat gjeostrategjike të NATO-s.

Tani kemi një situatë të paqartë edhe me partitë e vogla opozitare shqiptare, të cilat nga kapriçot dhe egot e mëdha po shkojnë drejt një dështimi të madh. Ato duhet të mendojnë një unifikim ose kjo sjellje e papërgjegjshme do të përfundoj me kapitullim.

Nga ana tjetër Xhelal Neziri nuk beson se marrëveshja e re do t’i len nën hije proceset e montuara politike.

“Marrëveshja është një kornizë e zgjidhjes së krizës në kuadër të së cilës e shoh edhe zgjidhjen e rasteve të montuara politike. Nëse dikush mendon se këto raste do t’i ngelen historisë, gabon shumë. Marrëveshja, megjithatë, është një hap i rëndësishëm për zgjidhjen e krizës në Maqedoni. Kjo marrëveshje paraqet vetëm një kornizë për bisedimet e mëtejme. Nëse do të jetë e suksesshme për tejkalimin e krizës do të varet nga ajo se çfarë qeverie kalimtare do t’i organizojë zgjedhjet – një qeveri e koalicionit të gjerë me pjesëmarrjen e katër partive më të mëdha, apo një qeveri ekspertësh kredibilë”, thekson për “Lajm” Neziri.