Shpërndaje në:

Disa prej kosovarëve të arrestuar nga grupi i Kumanovës para autoriteteve kompetente maqedonase deklaruan se kanë pasur kontakt me të paktën dy njerëz nga Agjencia e Inteligjencës dhe me dy nga DSK-ja, mëson jo-zyrtarisht Alsat M nga burimet e hetimit.

Sipas informatave të pakonfirmuara tani për tani, në një pjesë të deklaratave zyrtare të të arrestuarve është përmendur agjenti me inicialet SH.M identiteti i të cilit u publikua nga disa mediume në vend dhe në Kosovë.

Personi tjetër i përmendur nga njëri prej të arrestuarve në Kumanovë, thuhet se është këshilltar i sigurisë te Presidenti, i cili së bashku me SH.M është shfaqur në regjistrim që në telefonin e vet e ka pasur njëri nga të vdekurit në aksion. Cila ka qenë natyra e këtyre komunikimeve dhe çfarë janë marrë vesh, tani për tani nuk dihet.

Alsat M edhe sot kërkoi përgjigje nga Agjencia e Inteligjencës praktikisht për të njëjtat pyetje që fillimisht i bëmë para më shumë se një javë pas shkrimit në “Koha Ditore” për takimet mes zyrtarëve të Agjencisë dhe liderëve të grupit të Kumanovës. Në pyetjen nëse është e vërtetë se pjesëtarë të agjencisë kanë pasur kontakte të tilla, dhe nëse kanë pasur me çfarë karakteri ishin ato, nuk morëm përgjigje.

Publiku është i njohur tashmë vetëm me qëndrimin e institucionit. E ai është paralajmërimi se do të ngrenë procedurë për përgjegjësi penale për ata që e zbuluan identitetin e agjentit të tyre të fshehtë. Nga Agjencia nuk u përgjigjën ende se sa persona fizikë ose juridikë janë të dyshuar në denoncimin e tyre.

Për denoncimin pyetëm në Prokurorinë publike. Ata konfirmuan se e kanë pranuar, por nuk u përgjigjen se sa njerëz janë subjekt i hetimeve të mundshme.

“Për momentin mund të konfirmojmë se ka arritur Iniciativa nga Agjencia e inteligjencës e cila është marrë në shqyrtim nga një prokuror kompetent. Për detajet e procedurës do të informoheni me kohë”.

Zyrtarisht, deri më tani vetëm nga MPB-ja njoftuan se agjentë të tyre nga DSK-ja, së paku zyrtarisht nuk kanë pasur kontakt me anëtarët e grupit të Kumanovës, para ngjarjeve të 09 dhe 10 majit. Ndonëse jozyrtarisht, në deklaratat e të arrestuarve është theksuar se njëri nga udhëheqësit e grupit ka qenë në kontakt me dy nga punonjësit e tyre njëri me inicialet B.D. tjetri B.N. Në njoftimin e Agjencisë së inteligjencës nuk kishte asnjë konfirmim apo mohim, por dënim për zbulimin e identitetit të pjesëtarit të tyre dhe paralajmërim për kallëzim penal. Në publik, tashmë spekulohet se si cak i hetimeve mund të jenë mediat dhe gazetarët me qëndrime kritike.