Shpërndaje në:

Më 18 qershor 2017, në Qendrën Kulturire të Kosovës në Suedi me seli në Malmø të Suedisë, u bë promovimi i librit me poezi të autores Elife Luzha te titulluar “Mos ma vrisni lotin”. 
Ndonese sezoni i pushimeve ka filluar,  morën pjesë edhe personalite të shquara të skenës politike dhe kulturës,  ministri i Diasporës në Qeverinë e Kosovës Valon Murati me stafin e tij : Osman Shahini ( sekreta), Shyhrete Kastrati ( drejtoreshë për kulturë në MD), Sabrie Grainca ( zyrtare për informim në MD), Naim Sadiku -drejtor i Qendrës Kulturore të Kosovës në Suedi, nën patronatin e të cilit edhe u zhvillua ky aktivitet i mirëfillt kulturor. Ndër musafirë të shumtë të pranishëm ishin: Dr. Muhamet Shatri ( historian), Dr. Hajdin Abazi -shkrimtar, Ahmet Bella -sekretar i Unionit të Shoqatave Kulturore Shqiptare në Suedi,
Milaim Makolli – nënkryetar i rrjetit të bisneseve në Suedi ,
Xhevat Isufi -ish drejtor i Qendrës Kulturore të Kosovës në Suedi, skulptori dhe piktori i mirënjohur Sejdi Zeka, prof i muzikës Bashkim Jashari , aktivistë dhe baskatdhetarë tjerë  nga Kopenhaga e Danimarkës e Malmø dhe vende tjera të Suedisë.
Promovimin e moderoi Hajdin Abazi, i cili edhe I beri nje veshtrim librit me te ri te poetes Luzha. Po ashtu u lexuan vështrimet e kritikëve letrar Agim Vinca,Ismail Syla dhe Prend Buzhala si dhe u deklamuan poezi të librit në fjalë nga Emine Xhemajli.
Poetja Elife Luzha, pasi falenderoi organizatorët dhe të pranishmit në promovimin e librit të saj “Mos ma vrisni lotin”, e pa të arsyeshme të mos flas për poezitë e saja  se ” për këtë duhet të flet dhe vlerësojë  lexuesi”  u paraqit me një fjalë për rolin e femrës krijuese, të cilën po e sjellim në tërësi :

Të dashur bashkatdhetarë.
Jam e nderuar që ndodhem sot midis jush, për ta promovuar librin tim më të ri „Mos ma vrisni lotin“. Natyrisht unë nuk do të flas për librin, sepse flet lexuesi dhe kritika, por dua t’i them disa fjalë për femrën si krijuese.
Në Kosovën e pushtuar nga Serbia, breza të tërë u  desh të flijohen për lirinë e saj. Janë të njohura sidomos vitet ’80-të, me kthesën e madhe që bënë në historinë e përpjekjeve për lirinë e Kosovës, e cila u finalizua me luftën e Ushtrisë Çlirimtare.
Në ato kohë unë kisha vuajtur dënimin me burg, përjashtimin nga shkolla, por edhe izolimin në shtëpi. Kisha përjetuar edhe tragjedinë e poezive të mia të para, të cilat gjatë një bastisjeje policia pushtuese m’i mori për të mos m’i kthyer kurrë. Gjithsesi katrahura nëpër të cilën po kalonin shqiptarët e robëruar, linte vragë të pashlyeshme, sidomos te krijuesit e letërsisë, apo te bota më e ndjeshme e kombit, siç thuhet për poetët. Poeti i shquar danez, Niels Hav, në një poezi të tij, poetët i quan „paraprijës të agimeve“. Kjo shtresë e popullit të Kosovës, goditej sipas një strategjie të mirëplanifikuar nga pushtuesit serbë, edhe për shkakun se, siç thotë një mendimtar anglo-amerikan, „Letërsia është shpirti i kombit, kurse shkrimtari antena e racës.”
Me gjithë disa përpjekje për emancipimin e femrës, gjendja e saj në shoqërinë tonë vazhdon të mbetet e rëndë. Pabarazia në familje, niveli i ulët i shkollimit dhe punësimit, varësia ekonomike dhe privimi nga vendimmarrja në politikë, janë vetëm disa nga aspektet e shëmtuara të kësaj gjendjeje. Kur përmendim arsimimin e femrës, dua të kujtoj Indira Gandin, udhëheqësen e parë femër në Indi, e cila në një nga fjalimet e saj historike kishte thënë se: „Arsimimi i femrës është më i rëndësishëm se sa arsimimi i djemve“. Është kështu, jo vetëm pse femrat bëjnë gjysmën e shoqërisë njerëzore, por edhe për faktin që ato kanë rol të veçantë në edukimin e brezave.
Gjendjen e rëndë të femrës shqiptare në përgjithësi, e asaj krijuese në veçanti, shkrimtari ynë i shquar Ismail Kadare, e ka përshkruar gjer në detaje që nga antikiteti e deri në ditët tona. Ai kujton përpjekjet e femrës krijuese, si të poeteshës Safo, për një vend midis familjes të të mëdhenjve. Kadare krijueset e
letërsisë shqipe i quan „zonja të vogla të letërsisë“, për arsye se ato nuk mund të bëhen të „mëdha“ nga bërrylat e burrave. „Ato”, thotë Kadare „nuk ankohen për mosvëmendjen e shtypit e as për ndihmën që nuk iu vjen nga asnjë drejtim“, duke shtruar edhe pyetjen „ po si e përballojnë vallë, vetëm, ndikimin e botës letrare, të voglat“? Femrën krijuese shqiptare Kadare e krahason me xixëllonjat. Sepse sipas mjedisorëve thotë ai „xixëllonjat paraqiten brenda një kohe shumë të shkurtër midis pranverës dhe verës, dëshmi kjo për pastërtinë dhe harmoninë e një mjedisi. Ndryshe „po të zotëronte ndotja përreth, xixëllonjat nuk shfaqen“. Kështu ndodh edhe në stinët letrare thotë Kadare. „Kur helmet dhe urrejtjet shtohen në stinët letrare, është e kotë të shpresosh për zonjat e vogla të letrave, ato ikin“.
Po të analizojmë gjendjen e femrës shqiptare, në veçanti të asaj krijuese në Kosovën e pasluftës, konkluzioni do të na dalë tepër i dhembshëm. Nuk është këtu vendi që të ndalem në hollësitë e kësaj gjendjeje, as t’i rendis të gjitha  pengesat e sfidat në rrugën e emancipimit dhe të avancimit të femrës në shoqërinë tonë, por duhet inkurajuar edhe disa përpjekje shpresëdhënëse në ndryshimet pozitive që po ndodhin në procesin e barazisë gjinore te ne. Nevoja për këto ndryshime nuk është vetëm në vetëdije, por edhe në legjislacion dhe nuk duhet kuptuar si një dhuratë, por si e drejtë e patjetërsueshme.
Roli i vetë femrave në këtë proces jetik, është i pazëvendësueshëm dhe vendimtar. “Ne mundemi”, thoshte Barak Obama në fushatën e tij zgjedhore për president të SHBA-së. Barazia e gruas dhe fuqizimi i pozitës së saj në shoqërinë tonë, është nevojë, jo vetëm e grave, është mundësi që duhet bërë realitet dhe sa më parë aq më mirë. Mund ta bëjmë dhe duhet ta bëjmë. Mos të lejojmë hipokrizinë që, siç thotë Kadare, femra „në art të himnizohet ndërsa në jetë të keqtrajtohet“.

Vlen të theksohet se nën përkujdesjen e  Adnan Alitit ky aktivitet i mirëfilltë kulturor u emitua drejtëpërsëdrejti nga radio televizioni “Zëri i Kosovës” në Kopenhagë , medium ky që është i kycur në shumë platforma digjitale që mund të përcillen anekënd botës.