Shpërndaje në:

Nuk dihet nëse Marko Zvërlevski do të dorëhiqet nga posti i kryeprokurorit. Tërheqjen e tij e kërkoi kryeministri Zoran Zaev. Kryeprokurori nuk iu përgjigj pyetjeve të Alsat M se a do të japë dorëheqje ose do të pres të shkarkohet nga Kuvendi. Procedura për zgjedhjen e prokurorit shtetëror rrjedh në atë mënyrë që Kuvendi me propozim të Qeverisë shpall konkurs. Afati për dorëzimin e fletëparaqitjeve është 15 ditë, nga dita e publikimit në Gazetën zyrtare.

Ligji për prokuror publik, neni 41

Këshilli i Prokurorëve të Maqedonisë, me kërkesë të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, në afat prej 15 ditëve, nga e dita e pranimit të kërkesës deri te Qeveria e Republikës së Maqedonisë dorëzon mendim të arsyetuar pozitiv ose negativ në formë të shkruar për të gjithë kandidatët e paraqitur në shpallje, të cilët i plotësojnë kushtet në përputhje me Ligjin

Ligji i lejon Këshillit të Prokurorëve afat prej 15 ditëve shtesë nëse në afatin e parë nuk jep mendim. Nëse edhe në këtë afat nuk ka mendim të dorëzuar, konsiderohet se mendimi është pozitiv. Nëse, nga ana tjetër, Këshilli i Prokurorëve nuk  jep dritë jeshile për asnjërin nga kandidatët e paraqitur për prokuror shtetëror, Kuvendi do ta përsërisë konkursin. Nëse, Zvërlevski jep dorëheqje ose shkarkohet do ta zëvendësojnë zëvendësit e tij. Vitin e kaluar, pa asnjë ditë stazh në fushën e prokurorisë, për zëvendës të Zvërlevski është vendosur ish ministri i brendshëm nga radhët e BDI-së, Xhelal Bajrami, por edhe bashkëshortja e zëvendësministrit të punëve të jashtme nga VMRO-DPMNE, Ilija Isajllovski, Anita Topallova Isajllovska. Përndryshe, para 10 viteve kur VMRO-DPMNE-ja erdhi në pushtet e ndërroi prokurorin e atëhershëm shtetëror, Aleksandar Përçevski, me 61 vota, duke emëruar Lubço Shvërgovskin. Atë më pas e zëvendësoi Marko Zvërlevski i cili mori dritë jeshile nga VMRO-DPMNE në vitin 2013. Mandati i tij përfundon në vitin 2019.