Shpërndaje në:
Shkruan: Afërdita Xani

Tash kur rrjetet sociale janë bërë pjesë e pandashme e jetës sonë, në këtë kohë të fushatës zgjedhore, vështirë të lexosh diçka tjetër përveç postimeve që lidhen me politikën. Që kemi një klasë politike të korruptuar, të pa ngupur për pushtet, të dëshmuar me vite në fushën e dështimit, këtë tashmë e dimë të gjithë. Por nuk e kuptoj se pse pjesa dërmuese e popullit shqiptar janë të etur për t’i dhënë politikës rendesine qe ne fakt nuk e ka. Do më ngjallej shpresa për një Kosovë më të mirë kur ndryshimin ta shihja në popull e jo në politikë.

Fundja politikanët dalin nga gjiri i popullit nuk zbresin nga hëna as Marsi. Kam pershtypjen se jemi populli më i politizuar në botë. Kur e mendon se nuk paguhemi për këtë punë, i bie që shpenzohet energji kot. Jemi popull që jetuam gjatë në robëri dhe si të tillë domosdoshmerisht na u servuan ndjenjat patriotike që në djep. Deri ketu, jemi në rregull, por kam pershtypjen se është bërë një keqkuptim, sikur populli mendon që për të vazhduar patriotizmin duhet të mirret pa diskutim me politikë. Në shoqërinë kosovare dhe përgjithesisht në familjet shqiptare, pavarsisht se ku jetojnë, imponohet politika më të madhe dhe ky ves mishrohet edhe tek fëmijet e vegjel. Kujt i sherben kjo? A do të ishte më mirë që populli të kanalizonte energjitë e veta në drejtime tjera që thjesht janë më të dobishme. Si duket po humbim shumë gjëra të tjera me vlerë nga dëshira për të politizuar gjithçka për rreth.

Pakënaqesitë politike shprehen edhe duke i injoruar politikanët dhe veprimet e tyre. Në fund te fundit do të ndiheshin më të vegjel dhe më të padobishem. Në një kulturë perendimore qytetaret duhej të ishin të orientuar më shumë nga kultura, arti, sporti e puna e jo nga politika ose religjioni siç ndodh rendom sot në Kosovë. Pakënaqësitë politike nuk dënohen me sharje e fyerje ne Fb. Ato ndeshkohen më pjekuri të qytetruar ditën e votimeve. Qytetarët nuk është e domosdoshme te jenë njohes të politikes por qytetarë vigjilentë, të kujdesshem, vlersues dhe gjykues të drejtë.

Detyra më fisnike e qytetarit është e thjeshtë, ta perdorë votën në ditën e duhur të favorizoj ose ndëshkoj një parti apo politikan të caktuar. Për ta bërë këtë gjë nuk duhet filozofi politike thjesht mendon dhe shikon gjërat për rreth. Je i kënaqur më gjendjen e tanishme apo kërkon ndryshim. Vetem ky është obligim qytetar, që të votoj për të mirën e tij në ditën e zgjedhjeve. Diteve tjera të mirret më punët e veta! Fatkeqesisht besoj që edhe këtë vit qytetarët e Kosoves do ta bejnë të kundertën. Do të votojnë gabim ose nuk do të votojnë fare. Pastaj do vajtojnë katër vite më radhë për gjendjen duke sharë e akuzuar politikanet në Fb, ndërsa po i takuan ndonjëherë live bëjnë të pamunduren për të marrë një foto më ta. Kosova dhe populli i saj vuan nga papjekuria qytetare, politikanët janë ata qe i zgjedhim ne! Gjendja politike e nje shteti nuk varet nga statuse as komente pro apo kundër në rrjete sociale. Populli ka një pushtet me te madh se kaq, atë të perdorimit të drejt të votës në ditën e zgjedhjeve!