Shpërndaje në:

Situata politike në vend bëhet shkak që votimi i rezolutës për Maqedoninë në PE, të shtyhet për të tretën herë.

Siç kanë thënë nga Parlamenti Evropian, as këtë javë nuk do të votohet Rezoluta e Maqedonisë, e cila i referohet raportit të progresit të vitit të kaluar të Komisionit Evropian. Përveç Maqedonisë votimi u shty edhe për

Kosovën, Shqipërinë dhe Serbinë. Arsyeja për shtyrjen është gjendja politike e parregulluar në të gjitha këto vende.
Në shkurt të këtij viti, Komiteti për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian me 54 vota për dhe vetëm tetë kundër, miratoi me shumicë Rezolutën për Maqedoninë, ku për të tetën herë me radhë rekomandoi hapjen e negociatave inkuadruese për hyrje në Bashkimin Evropian.

Rezoluta tani pret konfirmimin e seancës plenare të PE-së, në të cilën e vërteton rekomandimin e kushtëzuar për hapjen e negociatave për anëtarësim të vendit në BE.

Parlamenti Evropian me këtë Rezolutë e konfirmon rekomandimin e tetë pozitiv të Komisionit Evropian për hapjen e negociatave për anëtarësim, por me kusht të realizimit në tërësi të Marrëveshjes së Përzhinës dhe prioritetet urgjente reformuese të Komisionit Evropian.

Por, që Rezoluta të jetë e plotfuqishme, nevojitet që përbërja e plotë prej 751 eurodeputetë të votojë për të, në seancën plenare që mbahet një herë në muaj.