Shpërndaje në:

Gazeta “The Washington Times”, në një artikull shkruan se Ballkani po shëndrohet përsëri në një vatër të mundshme konfliktesh në mes të Evropës.

Ky rajon, sipas kësaj gazete prestigjioze, është i një rëndësie të veçantë për shumë arsye dhe për këtë shkak SHBA-ja ka intervenuar në disa konflikte më të hershme në të.

Kjo është njëra nga arsyet se pse Shtetet e Bashkuara kanë investuar miliarda dollarë që prej Luftës së Ftohtë. Pjesë të caktuara të rajonit janë edhe vatra të ekstremizmit islamik, dhe shumë qytetarë nga Ballkani i janë bashkuar shtetit islamik në Siri, i njohur si ISIS. Në të njëjtën kohë, Rusia është tepër aktive në rajon dhe është duke u përpjekur që të minojë interesat e SHBA, shkruan The Washington Times.

Gazeta gjithashtu potencon se sipas letrës, të cilën e kanë dërguar  me herët disa kongresmenë, për disa organizata të financuara nga Sorosi , siç është Fondacioni Shoqëri e Hapur, duke shfrytëzuar mjete të USAID-it kanë forcuar disa politika të majta në rajon, të cilat janë në konflikt direkt me interesat amerikane.

Sipas kësaj gazete, Rusia tani po përdor këto momente kritike, për të rritur ndikimin e saj në këtë rajon, ndikim që e ka humbur që me përfundimin e Luftës së Ftohtë.

Një gjë e tillë po shihet në Maqedoni, ku ndikimet nga jashtë e kanë paralizuar politikën vendore, ku qartë vërehet se është duke i rënuar edhe themelet e demokracisë. Kjo gjë duhet që të jetë një thirrje për zgjim të politikanëve amerikanë se situata në këtë rajon sa vjen e keqësohet, shkruan gazeta prestigjioze The Washington Times.