Shpërndaje në:

Në press konferencën për media të  laureates së “Kurorës së Artë” të Mbrëmjeve Strugane të Poezisë, ka ndodhur një incident ku shefi i kabinetit të kryetarit të Komunës së Strugës ish deputeti  Bekim Qoku,  iu drejtua laureates, Margaret Atwood me pyetje që kanë të bëjnë me mosperfilljen e gjuhës shqipe nga drejtoria e festivalit MSP.

Nga drejtuesit e press konferencës iu kërkua që të “legjitimohet” se nga cila redaksi vjen, por Bekim Qoku, vazhdoi me pyetjet për laureaten duke pyetur mes tjerash: “A e dini se keni ardhë në një qytet me shumicë shqiptare, ku gjuha shqipe anashkalohet tërësisht? A e dini se merrni një çmim nga një Qeveri fashiste që nuk respekton gjuhën shqipe? A do të merrni poashtu një çmim edhe  nga Korea e veriut?”

Bekim Qoku iu drejtua laureates në gjuhën angleze por nga ajo nuk mori kurrfar përgjigje, ndërsa drejtuesit e press konferencës deklaruan se kjo është jashtë temës dhe kjo është konferencë për gazetar e jo për debate.

Më pas, konferenca për media vazhdoi sikur të mos kishte ndodhur asgjë, ndërsa Bekim Qoku është larguar nga salla, madje i “shoqëruar” edhe nga pjestarët e sigurmit të  manifestimit Mbrëmjet Strugane të Poezisë, që ishin të pranishëm tërë kohën në sallën ku mbahej konferenca për media.