Shpërndaje në:

Në datat 1 dhe 2 maj 2016, në hollin qendror të Bashkisë së Frederiksbergut, në Danimarkë, u zhvilluan disa aktivitete promovuese kulturore në kuadër të Ditëve të Kulturës Shqiptare.

Këto aktivitetet u organizuan nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Danimarkë në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës së Kosovës dhe Radiotelevizionin Zëri i Kosovës në Danimarkë (RTVZiK), me mbështetjen e Bashkisë së Frederiksbergut. 

Gjatë këtyre aktiviteteve u ekspozuan piktura të artistëve shqiptarë që jetojnë në Danimarkë, ekspozita me punime të artistit Zeqir Memeti, ekspozitë me veshje kombëtare shqiptare, stendë me pamje nga Shqipëria si destinacion turistik, koncert me artistë të ftuar nga Shqipëria, Kosova e shqiptarë të Maqedonisë, si dhe të ftuarve iu ofruan gatime të kuzhinës tradicionale shqiptare.

Në aktivitet ishin të ftuar dhe morën pjesë Kryetari i Bashkisë së Frederiksbergut, Jorgen Glenthoj, Ministri i Diasporës së Kosovës, Valon Murati, përfaqësues nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe institucione të tjera daneze, ambasadorë e përfaqësues të Trupit Diplomatik në Kopenhagen dhe shoqata e shqiptarë me banim në Danimarkë e Suedi.